Nuk mjafton t’i edukojmë fëmijët tanë pa u përqendruar edhe tek mundësitë që atyre u shfaqen për të ardhmen. Diskutimi, shkëmbimi i ideve për të kuptuar funksionimin e tregut të punës dhe ku të shkojmë pasi të përfundojmë ciklin e shkollimit, janë ndër çështjet kryesore që trajtojnë të rinjtë nga Ulqini dhe Shkodra në projektin ndërkufitar “Rrugët për zhvillimin e karrierës: Përgatitja e të rinjve në Shqipëri dhe Mal të Zi për mundësitë e karrierës në sektorin e turizmit”, të cilin e realizojnë World Vision Albania në partneritet me Horizontin e Ri, si dhe shkollat e mesme “Vëllazërim-Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra.

Pasi janë realizuar aktivitetet fillestare, tashmë kanë nisur edhe trajnimet me 50 të rinj të qytetit tonë, të përzgjedhur në këtë projekt. Në një hapësirë të veçantë në Shkollën e Mesme në Ulqin, është krijuar ambienti i përshtatshëm për organizimin e trajnimeve dhe aktiviteteve, gjegjësisht Youth Employment Lab (YEL), laboratori i punësimit për të rinjtë. Këtu të rinjve u jepet mundësia që të diskutojnë, të shprehin hapur mendimet dhe vizionet e tyre për punësimin, bashkëpunimin ndërkufitar, sipërmarrjet premtuese, problemet e ndryshme që e preokupojnë rininë në rajon, etj.

Projekti ka synime të qarta, të cilat janë thelbësore për çdo individ, e më shumë për të rinjtë që pretendojnë të arrijnë diçka në jetë. Karriera e suksesshme duhet të jetë pikësynim për të gjithë, prandaj në kurrikulën e projektit përfshihet një gamë e larmishme konceptesh e objektivash që, me përkushtim dhe angazhim, të rinjtë do të arrijnë t’i përvetësojnë dhe të dalin sa më të përgatitur nga ky program.

Modeli që ndiqet në këtë projekt është një qasje e integruar “𝗦𝗞𝗬𝗘 𝗖𝗹𝘂𝗯” që ka për qëllim të ndihmojë të rinjtë të përmirësojnë aftësitë, sjelljet dhe qëndrimet që paraqiten si të nevojshme për pjesëmarrjen e tyre konstruktive në shoqëri.

Ky model ka në fokus zhvillimin ekonomik të të rinjve, adreson nevojat e jetesës dhe aspiratat e tyre, duke i ftuar ata të jenë sa më inovativ dhe sa më krijues në mënyrë që të nuhasin atë që mund të përbëjë një risi në tregun e punës dhe kështu të mund të planifikojnë një biznes për veten e tyre, si hap individual drejtë karrierës. Përmes këtij programi, të rinjtë do të ndjekin 10 trajnime (Soft Skills Trainings) në lidhje me komunikimin, aftësitë drejtuese, mendimin kritik, përshtatshmërinë, organizimin, punën ekipore, përpikërinë, etj.

ilustrim per publikim

Kurrikula, sa e ngjeshur, aq edhe voluminoze, është e ndarë në tema dhe nëntema, të cilat prezantohen tek të rinjtë përmes trajnimeve të vyera, që shtjellojnë punësueshmërinë dhe sipërmarrjen sociale. Përveç ekspertëve të angazhuar për trajtimin e hollësishëm të secilës pikë nga kurrikula, nuk duhet harruar se mësimi më i mirë bëhet në grup, duke komunikuar dhe debatuar me njëri-tjetrin, përmes diskutimit dhe ndarjes së përshtypjeve, ideve, qëllimeve, të metave nga përvojat e deritanishme e çështjeve tjera me interes për të rinjtë.

Prandaj, ky projekt, ka premisa të shënojë arritje konkrete dhe të provojë se të rinjtë, si në Shqipëri ashtu edhe në Mal të Zi, janë të aftë të mendojnë për çështje madhore, të diskutojnë për punësimin, të planifikojnë biznesin e tyre të ardhshëm, sepse ata janë të vendosur për qëllimet e veta, janë të përpiktë, këmbëngulës, njohës të fushës së turizmit dhe planifikues të mirë të kohës.

Ky shkrim publikohet në kuadër të projektit “Rrugët për zhvillimin e karrierës: Përgatitja e të rinjve në Shqipëri dhe Mal të Zi për mundësitë e karrierës në sektorin e turizmit” i cili realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian: Programi IPA II për Bashkëpunim Ndërkufitar Mal i Zi – Shqipëri 2014-2020. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e OJQ Horizonti i Ri dhe nuk pasqyron detyrimisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.


LOGO EU - CBC - SQ

LOGO_PARTNERS_CBC