Javën që shkoi, në kuadër të projektit “Vendimmarrje me të rinjtë”, OJQ Horizonti i Ri realizoi vizitën studimore në Gjykatën Themelore – Ulqin. Kjo vizitë kishte për qëllim të nxisë komunikim mes të rinjve dhe gjykatës dhe t’u mundësojë atyre të njihen nga afër me punën e këtij institucioni, me sistemin gjyqësor në Mal të Zi si dhe me punën e gjyqtarëve brenda departamenteve të ndryshme.
Në pjesën e parë të vizitës të rinjtë u pritën nga ushtruesi i detyrës të kryetarit të Gjykatës Themelore të Ulqinit, z. Gazmend Kalabrezi, i cili për pjesëmarrësit e projektit prezantoj strukturën dhe punën e gjykatës, sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi gjyqësor në kuadër të procesit të reformave,  bashkëpunimin e gjykatës me publikun, etj. 

Të rinjtë parashtruan shumë pyetje për drejtuesin e Gjykatës, me një interesim të veçantë lidhur me të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në proceset gjyqësore për shkelje rregullash dhe vepra penale.
Në pjesën e dytë të vizitës, të rinjtë patën rastin të njihen me objektin e Gjykatës së Ulqinit, të shohin se cilat janë shërbimet që ofron gjykata për qytetarët, si duken sallat e seancave gjyqësore dhe si zhvillohet një proces gjykimi.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Vendimmarrje me të rinjtë” i cili  mbështetet përmes programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formimi i politikave – M’BASE” i zbatuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.

WEB FOOTER