Të rinjtë përbëjnë një të pestën e popullsisë së Malit të Zi. Politikëbërësit dhe vendimmarrësit shpesh i lënë jashtë fokusit të rinjtë, edhe pse të rinjtë duhet të jenë në qendër të çdo nisme të rëndësishme politike dhe strategjike. Kjo është pikërisht ajo që i largon të rinjtë nga politika në kuptimin më të gjerë, prandaj ata kanë më së paku besim tek institucionet politike dhe në postet politike. Por suksesi i tranzicionit demokratik të shoqërisë matet edhe nga shkalla në të cilën të rinjtë janë të gatshëm dhe të motivuar për të marrë përsipër menaxhimin e zhvillimit shoqëror përmes formave zyrtare ose jokonvencionale të angazhimit politik dhe vullnetarizmit. Shumica dërrmuese e të rinjve nuk kanë përvojë me vullnetarizëm, ndërsa angazhimi vullnetar dhe aktivizmi rinor përbëjnë një përqindje tepër të vogël të aktiviteteve me të cilat të rinjtë e mbushin kohën e lirë.

Të rinjtë rriten në një shoqëri të rënduar nga korrupsioni, nepotizmi dhe fenomene të tjera që minojnë parimet meritokratike në qasjen në punësim dhe avancim në karrierë, por dhe në arsim. Në këtë kontekst, të rinjtë zhvillojnë qëndrime që justifikojnë gjetjen e punësimit nëpërmjet lidhjeve dhe korrupsionit, si dhe perceptimin se lëvizshmëria dhe avancimi shoqëror varet më shumë nga lidhjet dhe fuqia politike dhe më pak nga njohuritë dhe përpjekjet. Një shoqëri në të cilën promovohen ‘rrugët e shkurtra’ si një qasje për arritjen e qëllimeve në fushën e arsimit dhe punësimit, i edukon të rinjtë se forma të tilla të sjelljes janë korrekte, ndërsa të rinjtë nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e paparashikueshme që kjo ka për të gjithë shoqërinë dhe të ardhmen e saj të qëndrueshme.

Ilustrim 5

Pozita socio-ekonomike e të rinjve sipas të gjitha kritereve e bën këtë grup jashtëzakonisht të cenueshëm. Margjinalizimi dhe përjashtimi ekonomik reflektohen edhe në nivelin e lartë të papunësisë strukturore të krijuar nga mospërputhja midis ofertës arsimore dhe tregut të punës, si dhe nga kriza e përgjithshme ekonomike. Të rinjtë janë të ekspozuar edhe ndaj joprofesionalizimit të punës, kështu që shpesh persona me arsim të lartë, me diploma në fusha që nuk kërkohen në tregun e punës, kërkojnë punë dhe gjejnë pozicione nën nivelin e kualifikimeve të tyre. Punësimi me afat të caktuar si forma dominuese e punësimit është vetëm një nga dimensionet e punës që e bën të pasigurt perspektivën e të rinjve, zgjat varësinë ekonomike nga prindërit dhe pengon procesin e kalimit në botën e të rriturve. Ekziston një lidhje domethënëse midis pozitës më të lartë socio-ekonomike të të rinjve në shoqëri dhe nivelit më të lartë të kapitalit kulturor dhe material që ata marrin nga familjet e tyre.

Shoqëria në Mal të Zi karakterizohet nga një kërcënim i vazhdueshëm i “largimit të trurit” për shkak të dëshirës së fortë të shumicës së njerëzve të arsimuar për të emigruar nga vendi i tyre, që është një sfidë e rrezikshme për një vend të vogël që ka nevojë për një qasje urgjente dhe sistematike ndaj kësaj çështjeje. Gjë që fatkeqësisht nuk është bërë deri më tani. Arsyet pse të rinjtë largohen nga vendi janë kryesisht të natyrës ekonomike, shpresa për të gjetur një vend pune me meritë dhe kërkimi i kushteve më të mira ekonomike të jetesës.

Qëndrimet e të rinjve kushtëzohen nga klima e përgjithshme e një shoqërie të paorganizuar, demokracia e pakonsoliduar dhe tranzicioni i zgjatur, që janë pasqyrim i një autoritarizmi të  theksuar, tradicionalizmit dhe jotolerancës ndaj diversitetit. Niveli i distancës sociale dhe etnike të përcaktuar përmes një anketimi të qëndrimeve të të rinjve ndaj grupeve të ndryshme në shoqëri, si dhe besimit të lartë ndaj grupit primar që ata i përkasin (familjes dhe miqve), por dhe fakti që të rinjtë shfaqin mosbesim ndaj  institucioneve dhe aktorëve politikë, tregon se të rinjtë kanë një potencial të dobët për të realizuar ndërtimin e kohezionit social.

Ky artikull është pjesë e projektit “Vendimarrje me të rinjtë”, i cili realizohet në kuadër të programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formimi i politikave – M’BASE”, i zbatuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.
Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e OJQ “Horizonti i Ri” dhe nuk pasqyron detyrimisht pikëpamjet e donatorit.

WEB FOOTER