Në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve në promovimin e dialogut dhe tolerancës“, të mbështetur nga Ambasada Amerikane ne Podgoricë, OJQ Horizonti i Ri realizoi një vizitë ndërkulturore në Tivar.
Të rinjtë të përkatësive të ndryshme etnike, religjioze, gjuhësore e kulturore nga shkollat e mesme të Ulqinit dhe Tivarit, patën mundësinë të vizitojnë nga afër institucionet kryesore fetare të këtij qyteti – Qendrën Kulturore Islamike, Katedralen e Shën Gjon Vlladimirit dhe Kishën e Shën Pjetrit.
Në Qendrën Kulturore Islamike të rinjtë u pritën nga kryeimami i Tivarit. z. Mujdin Milaimi i cili prezantoi punën dhjetëvjeçare të këtij institucioni dhe rolin e tij në promovimin e tolerancës ndërfetare në këtë mjedis shumëkulturor.
Në Katedralen e Shën Gjon Vlladimirit të rinjtë u pritën nga famullitari don Kelmend Spaqi, i cili foli mbi historikun e Katedrales, si dhe për programet që organizohen në këtë institucion për fëmijë dhe të rinj, por edhe për qytetarët, që nga edukimi fetar dhe ligjëratat e deri te promovimi i veprave letrare.
Në Kishën e Shën Pjetrit, gjimnazistët nga Ulqini e Tivari i shoqëroi teologu Marko Orllandiq, i cili prezantoi arkitekturën e këtij objekti të madh kulti si dhe ceremonitë e shërbesat fetare që zhvillohen aty.
Ky projekt ka për qellim krijimin e një komunikim efektiv midis të rinjve nga Ulqini dhe Tivari, thyerjen e paragjykimeve dhe barrierave në komunikim si dhe rritjen e njohurive dhe shkathtësive të tyre për pjesëmarrje në proceset integruese shoqërore.
Këtë projekt Horizonti i Ri e realizon me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Podgoricë.