Në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve në promovimin e dialogut dhe tolerancës”, OJQ Horizonti i Ri realizoi me një grup prej tridhjetë të rinjve nga Tivari e Ulqini sesionin edukativ me titull “Qytetaria vepruese”.
Në modulin e pestë trajnues të projektit, i cili u mbajt në bibliotekën e Shkollës së Mesme Ekonomike të Tivarit, u trajtuan tema të cilat lidhen ngushtë me konceptin e qytetarisë vepruese si: të qenit qytetar aktiv, çfarë përfshin qytetaria vepruese, pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e krijimit dhe zbatimit të politikave publike, çfarë është demokracia pjesëmarrëse dhe përfaqësuese, roli i qytetarit të informuar dhe aktiv si themel i një shoqërie demokratike, etj.Të rinjtë diskutuan edhe për të drejtën e votës dhe pjesëmarrjen në zgjedhje, për mënyrën se si hartohen dhe iniciohen peticionet, iniciativat qytetare, protestat, tubimet publike, etj. Në këtë kontekst u sollën shembuj dhe ilustrime nga shoqëria amerikane, si rrjedh atje procesi zgjedhor dhe si funksion pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje.
Nga vlerat që po ashtu i karakterizojnë SHBA, të rinjtë veçuan edhe vullnetarizmin si një segment të rëndësishëm të arritjeve demokratike. Vullnetarizmi është një mënyrë e shkëlqyer për të ndihmuar dhe për të ndërvepruar me komunitetin. Efektet e vullnetarizmit mund të jenë shumë te dobishme duke filluar nga ndihma e grupeve në nevojë, kthimi në komunitet e deri tek puna për kauza të vlefshme.
Ligjërues i këtij sesioni ishte prof. Negjelko Gjuroviq, ndërsa në rolin e trajneres znj. Sabra Deceviq.
Projekti mbështetet nga Ambasada e SHBA në Podgoricë.