Të rinjtë përfaqësojnë një kategoritë më të rëndësishme të shoqërisë. Ata duhet vazhdimisht të nxiten që të marrin pjesë në adresimin e çështjeve të rëndësishme, si dhe të marrin pjesë në vendimmarrje si në nivelin lokal, ashtu edhe atë shtetëror, sepse pikërisht ata duhet të jenë bartësit e ardhshëm të ndryshimit.
Aktivizmi të rinjve u sjell aftësi dhe njohuri të reja, por edhe kontakte që mund t’i ndihmojnë ata për të ndërtuar karrierën e tyre.
Ndër konceptet më të rëndësishme që të rinjtë duhet t’i mësojnë që në fazën më të hershme të angazhimit të tyre publik, në shkollë dhe jashtë saj, janë “Edukimi për të drejtat e njeriut” dhe “Edukimi për qytetari demokratike”.

Edukimi për të drejtat e njeriut nënkupton edukimin, trajnimin, ngritjen e vetëdijes, informimin, praktikat dhe aktivitetet që i pajisin të rinjtë me njohuri, aftësi, qëndrime dhe sjellje si dhe i fuqizojnë ata për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin dhe mbrojtjen e një kulture universale të të drejtave të njeriut në shoqëri, për përparimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut.

Të drejtat e njeriut janë të barabarta dhe të pa kontestueshme për të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht nga raca, gjinia, feja apo nga prejardhja kombëtare apo klasa shoqërore. Zhvillimi i shoqërisë njerëzore solli dhe nevojën për një vendosje rendi në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve.
Ka modele të ndryshme në të cilat të rinjtë mund të përfshihen ose të marrin përgjegjësi, në varësi të situatës lokale, burimeve, nevojave dhe nivelit të përvojës. Angazhimi publik është një koncept më i gjerë se çdo tjetër. Angazhimi qytetar konsiderohet një proces dhe pjesëmarrja i referohet aktivitetit fizik të të rinjve. Këtë lloj angazhimi të rinjtë më së miri e përfitojnë nga edukimi jo formal, i cili nënkupton aktivitetet arsimore jashtë institucionale me të cilat arrihen njohuri dhe shkathtësi të caktuara e ku pjesëmarrja është vullnetare. Pikërisht përmes kësaj forme të edukimit, të rinjtë njihen me konceptet themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe tematika te tjera të rëndësishme për formimin e tyre të përgjithshëm individual dhe profesional.

Student sharing her knowledge with her colleagues

Student sharing her knowledge with her colleagues

Organizata e shoqërisë civile Horizonti i Ri ka vite që punon me të rinjtë e Ulqinit dhe viseve tjera shqiptare në Mal të Zi, përmes programeve të edukimit joformal, për rritjen e njohurive të tyre në promovimin e vlerave të qytetarisë demokratike. Aktualisht kjo organizatë ka iniciuar projektin “Të rinjtë e angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të popujve pakicë” i cili ka për qëllim fuqizimin e kompetencave të aktivistëve rinor nga Ulqini, Tuzi, Plava dhe Gucia për ruajtjen e vlerave të tyre identitare si dhe formimin e një grupi liderësh të rinj për t’u angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

Viteve të fundit, rritja e dhunës, ekstremizmit dhe e gjuhës së urrejtjes, ka vënë shoqëritë tona përballë sfidave të mëdha e serioze, duke shkaktuar një distancë gjithnjë e më të madhe etnike dhe intolerancë midis grupeve të ndryshme nacionale e fetare, gjuhësore dhe kulturore.
Në një situatë të tillë, edukimi joformal i të rinjve, gjithnjë e më shumë po vlerësohet si mbrojtje kundër dukurive të tilla dhe kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut që i shoqërojnë ato.

Ky artikull është pjesë e projektit “Të rinjtë e angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të popujve pakicë” i cili realizohet në kuadër të konkursit publik për financimin e projekteve të OJQ-ve për vitin 2023, në fushën e zhvillimit dhe avancimit të të drejtave të popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare minoritare në Mal të Zi. Projekti financohet nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e OJQ “Horizonti i Ri” dhe nuk pasqyron detyrimisht pikëpamjet e donatorit.


FOOTER CG