Horizonti i Ri nisë realizimin e një projekti të ri të quajtur “TË RINJTË NË DIALOGUN NDËRKULTUROR”.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është edukimi i të rinjve nga Ulqini për konceptin e interkulturalizmit dhe fuqizimi i tyre për promovimin e një kulture tolerance, vlerësimin e diversitetit dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë, si në nivel lokal poashtu edhe në atë shtetëror.

Përmes këtij projekti, i cili do të zgjasë nëntë muaj, do të punojmë me 25 aktivistë të rinj për të krijuar një grup liderësh të ardhshëm me kompetenca të forcuara ndërkulturore, duke u fokusuar në dy dimenzionet kryesore të edukimit ndërkulturor: respektimi i diversitetit dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Aktivitetet e planifikuara si pjesë e këtij projekti janë: Shkolla e dialogut ndërkulturor, takimet ndërkulturore të të rinjve, fushata mediatike dygjuhësore dhe takimi final – ndarja e diplomave për pjesëmarrësit e projektit.

Ky projekt zbatohet në parneritet me OJQ “Këndi i Tolerancës”, në kuadër të fushës së Mbrojtjes dhe Avancimit të të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave – Interkulturalizmi për vitin 2024, i mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e Malit të Zi.


IMPLEMENTIMI I PROJEKTIT

AKTIVITETI 1
Me datën 13.09.2024 organizuam aktivitetin iniciues të projektit “Të rinjtë në dialogun ndërkulturor”.
Në hapjen e projektit morën pjesë: kryetari i Komunës së Ulqinit z. Genci Nimanbegu; kryetarja e Parlamenti Lokal, znj. Ivana Popoviq; Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë për Interkulturalizëm në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave znj. Milla Popoviq si dhe zyrtari i kësaj drejtorie për marrëdhënie me OJQ-të z. Kristjan Dukaj. Të rinjtë pjesëmarrës në projekt, zhvilluan një seancë diskutimi me titullarët e pranishëm, drejtuan pyetje dhe paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me mundësitë e përfshirjes së të tyre në procesin e vendimmarrjes.

AKIVITETI 2

Në kuadër të projektit “Të rinjtë në dialogun ndërkulturor”, i cili mbështetet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave – Drejtoria për Interkulturalizëm, realizuam një panel diskutimi me përfaqësuesë të Komunës së Ulqinit dhe aktivistëve rinor.
Panelistet e ftuara, Merita Subashiq – sekretare për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, Enisa Martinoviq – sekretare për Rini dhe Sport dhe Aldina Koliq Nikoçeviq – udhëheqëse e sektorit për veprimtari shoqërore ndanë pikëpamjet dhe përvojat e tyre mbi përfshirjen e të rinjve në politikat kulturore, programet edukative dhe proceset shoqërore në nivelin lokal.