Në bazë të KËRKESËS që Shërbimi i Kuvendit të Komunës iu ka dërguar organizatave të shoqërisë civile, për të paraqitur propozimet e tyre për Programin e Punës së Parlamentit Lokal për vitin 2017, grupi OJQ-ve lokale i dorëzoi sot këtij shërbimi kërkesat e mëposhtme: 

  • Të formohet KËSHILLI PËR ZHVILLIMIN DHE MBROJTJEN E VETËQEVERISJES LOKALE;
  • Të miratohet Vendimi për Pjesëmarrjen e Qytetarëve në Kryerjen e Punëve Publike;
  • Të formohet Këshilli për Bashkëpunimin e Vetëqeverisjes Lokale me OJQ-të;
  • Të miratohet Plani Lokal për Parandalimin e Sëmundjeve të Varësisë (i cili ndodhet në formë Drafti në sekretariatin përkatës);
  • Të sigurohet monitorimi i rregullt dhe vlerësimi i projekteve të financuara nga Buxheti i Komunës së Ulqinit, duke miratuar një Plan Monitorues të veçantë, me detyra te qarta për anëtarët e Komisionit;
  • Të publikohen në web-sajtin e Komunës emrat e anëtarëve të organeve drejtuese dhe këshillave drejtuese të ndërmarrjeve publike, themeluese e të cilave është Komuna e Ulqinit;
  • Në web-sajtin e Komunës të publikohen rregullisht të gjitha aktet që miraton Parlamenti Lokal;
  • Në web-sajtin e Komunës, krahas lajmërimit për mbledhjet e Kuvendit dhe rendit të ditës që është planifikuar, të publikohen edhe materialet e mbledhjeve dhe procesverbalet nga mbledhjet e mbajtura;
  • Të organizohet më së paku një takim pune (brenda vitit) i Kryetarit të Kuvendit, kryetarëve të klubeve të këshilltarëve me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të mëtejshëm, në përputhje me nenin 179 të Statutit të Komunës së Ulqinit.

Me qëllim të krijimit të politikave publike lokale sa më efektive dhe të promovimit të parimeve të qeverisjes së mirë e të marrëdhënieve të mira me sektorin civil, OJQ-të lokale i ofrojnë strukturave të Kuvendit angazhimin dhe ekspertizën e tyre.