OJQ Horizonti i Ri përfundoi programin edukativ “Fuqizimi i pjesëmarrjes publike në vendimmarrje”, në të cilin morën pjesë 23 aktivistë të rinj nga Ulqini.
Programi përfshinte një cikël prej pesë seminareve njëditore, vizitave studimore, trajnimeve për anketues si dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të të rinjve në realizimin e hulumtimit në terren.
Gjatë periudhës pesëmujore, pjesëmarrësit e programit patën mundësinë të përmirësojnë njohuritë për konceptin e vetëqeverisjes lokale, rolin e saj në organizimin e shtetit, pozicionin e parlamentit lokal, kryetarit të komunës dhe organeve të qeverisjes vendore – kompetencat dhe funksionet e tyre; mënyrën e shfrytëzimit të shërbimeve të organeve të administratës publike, qasjes në informata të rëndësisë publike e të ngjashme.
Programi është pjesë e projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME“, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul Info” dhe Bibliotekën e Qytetit të Ulqinit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike.