Organizata e shoqërisë civile Horizonti i Ri shënon përfundimin e projektit “Fuqizimi i të rinjve në promovimin e dialogut dhe tolerancës”, të mbështetur nga Ambasada e SHBA në Podgoricë.
Përgjatë një periudhe dhjetëmujorë, tridhjetë të rinj nga Ulqini e Tivari u pajisën me njohuri dhe kompetenca në fushën e promovimit të dialogut dhe tolerancës.
Cikli trajnues prej gjashtë moduleve kontribuoi në krijimin e një komunikimi efektiv midis të rinjve nga nga këto dy qytete, duke thyer barrierat gjuhësore dhe duke rritur komunikimin e tyre ndërkulturor.
Pjesëmarrësit e projektit patën mundësi të zhvillojnë një dialog konstruktiv me politikbërës si ne nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror. Vizita në Kuvendin e Malit të Zi iu krijoi atyre një pasqyrë më të qartë për proceset vendimmarrëse dhe për procedurat e hartimit të politikave publike.
Përmes sesioneve edukative, bashkëbisedimit me nxënës nga Ulqini që tani studiojnë në SHBA, si dhe përmes vizitës në Këndin Amerikan në Podgoricë, pjesëmarrësit e projektit patën mundësi që të njihen më shumë me kulturën, letërsinë, programet e studimit, historinë dhe vlerat qytetarisë amerikane.
Vizitat e ndërsjella studimore që ata organizuan në objektet fetare e kulturore të Ulqinit e Tivarit, ndikuan dukshëm në thyerjen e paragjykimeve, afirmimin e vlerave të përbashkëta, krijimin e miqësive të reja dhe forcimin e bashkëpunimit midis të rinjve.
Në fund të projektit, ata realizuan edhe një video të veçantë përmbyllëse, duke dhënë disa mesazhe publike që promovojnë dhe afirmojnë vlerat e edukimit ndërkulturor midis të rinjve.