Pjesëmarrja qytetare në procesin e vendimmarrjes është një sfidë serioze edhe për demokracitë shumë më të vjetra dhe më me përvojë. Një ndër sfidat e demokracisë është natyra komplekse e pjesëmarrjes qytetare, në kuptimin që ky është një proces i dyanshëm. Suksesi i pjesëmarrjes varet njëlloj nga qytetarët dhe përfaqësuesit e pushtetit. Për të siguruar një pjesëmarrje më të madhe, është e nevojshme të motivohen qytetarët që të përfshihen në proceset vendimmarrëse, por është po aq e nevojshme që të motivohen institucionet për të përfshirë qytetarët, sidomos të rinjtë.
Projekti “Vendimmarrje me të rinjtë”, ka për qëllim pikërisht edukimin e të rinjve nga Ulqini për mundësitë e pjesëmarrjes në procesin e vendimmarrjes në komunitetin lokal. Në hapësirat e Këndit për të Rinj, në Bibliotekën e Qytetit, aktivistët rinorë do të ndjekin një program të veçantë të edukimit joformal, përmes të cilit do të mësojnë për mënyrën e ndërmarrjes së iniciativave rinore në komunitetin lokal, më pas do të njihen me konceptin dhe mënyrën e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe shtetërore.
Në sesionin e parë të këtij cikli, mysafiri ligjërues z. Sabri Salaj – specialist i shkencave politike, për vijuesit e programit trajtoi çështje të cilat lidhen ngushtë me sistemin e vetëqeverisjes lokale. Gjatë kësaj ligjërate u diskutua për procesin e vendimmarrjes, mënyrën e funksionimit të Parlamentit Lokal, kompetencat dhe fushëveprimin e Kuvendit, mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, rëndësinë e votës së qytetarit, etj. Një vend të veçantë në këtë diskutim me të rinjtë zuri edhe roli i këshilltarit në kuvend gjatë një mandati zgjedhor.
Në pjesën e dytë të sesionit, të rinjtë përmes një ushtrimi praktik patën mundësinë të vihen në rolin e këshilltareve të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të paraqesin propozimet e tyre për problemet e ndryshme në komunitet dhe të demonstrojnë si rrjedh procesi i vendimmarrjes pas një debati parlamentar.
Garantimi i mirëqeverisjes lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje në të gjitha nivelet, në bazë të një konsensusi të gjerë shoqëror dhe politik në mbështetje të qeverisjes me pjesëmarrje dhe llogaridhënies. Në thelb, qëndrueshmëria e çdo shoqërie demokratike mbështetet në krijimtarinë, dinamizmin, angazhimin shoqëror dhe kompetencat e të rinjve të saj.
Ky shkrim është pjesë e projektit “Vendimmarrje me të rinjtë” I cili realizohet në kuadër të programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formimi i politikave – M’BASE” i zbatuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e OJQ Horizonti i Ri dhe nuk pasqyron detyrimisht pikëpamjet e donatorit.