Organizata e shoqërisë civile HORIZONTI I RI, me 7 prill Diten ndërkombëtare të shëndetit, organizoi performancë
edukative me slloganin “JETO SHËNDETSHËM – JETO PA DROGË”.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që t’i ndihmojë të rinjtë në formimin e gjykimit të drejtë për tjetën dhe të ardhmen e tyre, duke favorizuar gjithsesi menyrën e shëndetëshme të jetesës.
Pjesëmarrësit kryesorë të projektit ishin nxënësit e shkollave të mesme të Ulqinit, prindërit e tyre, mësimdhënësit, kalimtarët e rastit, etj.
Partneritet të rëndësishëm në këtë aktivitet ofroi Shtëpia e Shëndetit në Ulqin e cila përmes mjekëve të pranishëm në aksion iu ofroi nxënësve informacione dhe këshilla me vlerë për ruajtjen e shëndetit dhe efektet e dëmshme të narkotikëve, policia e Ulqinit e cila me ekipin e vet të profesionistëve në mënyrë kreative dhe praktike iu prezantoi nxënësve eksponatet e drogave duke dhënë udhëzime, informacione dhe këshilla për luftimin dhe parandalimin e tyre si dhe Sekretariati për veprimtari shoqërore i Komunës së Ulqinit.
Përveç subjekteve të lartpërmendura, kontribut të rëndësishëm në realizimin e këtij aktiviteti dhanë edhe punëtorë të tjerë shëndetësorë të qytetit si dhe një numër i konsiderueshëm i organizatave të shoqërisë civile.
Atraksion të veçantë në këtë performans pati edhe inkuadrimi i laboratorit biokimik ABAMedica duke ofruar falas mundësinë e testimit të nxënësve për praninë e drogave në organizëm. Këtë shërbim e shfrytëzuan disa të rinj, duke i dhënë aksionit një dimension të ri dhe duke i kompletuar kështu format e edukimit dhe parandalimit të narkomanisë në Komunën e Ulqinit.
Ky aktivitet është pjesë e një projekti të gjerë të cilin “Horizonti i Ri” e realizon me mbështetjen e Ministrisë për Kulturë, Sport dhe Media.