Të premten me 18 dhjetor 2009, në Hotelin “Mediteran” në Ulqin, Organizata e Shoqërisë Civile HORIZONTI I RI organizoi seminarin me titull “INTEGRIMET EVROPIANE PËR QYTETIN TIM”.
Nevoja e forcimit të kapaciteteve të administratës publike, që me sukses t’i përballojë punët dhe obligimet që sjellin proceset integruese, është një prej prioriteteve edhe të Planit Nacional të integrimeve, por edhe një prej kërkesave të
vazhdueshme të Komisionit evropian. Në këtë kontekst, OJQ “HORIZONTI i RI” ka konceptuar një program informativ dhe trajnues për zyrtarët e Komunës së Ulqinit, për këshilltarët e Parlamentit lokal dhe drejtuesit e ndërmarrjeve publike lokale.
Seminari që u realizua në kuadër të këtij programi, kishte për qëllim:
- informimin e zyrtarëve të Komunës së Ulqinit për idenë, historikun dhe institucionet e BEsë si dhe për pozitën e Malit të Zi në procesin e integrimeve evropiane, si dhe
- forcimi i kapaciteteve të Administratës vendore me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për procesin e anëtarësimit në BE, duke u njoftuar me rolin e vetëqeverisjes lokale në këtë proces
Ligjërues në këtë seminar ishin ekspertë të dalluar në fushën e integrimeve evropiane dhe të sistemit të vetëqeverisjes lokale:
Ratka Sekuloviq – ndihmëministre në Ministrinë e integrimeve evropiane të Malit të Zi,
Sasha Shqekiq nga Bashkësia e komunave të Malit të Zi dhe
Agron Camaj – menaxher i Programit të bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri – Mali i Zi.
Duke pasur parasysh faktin që procesi i integrimeve evropiane ka një rëndësi të veçantë në jetën e qytetarëve dhe se rreth 75% e normave ligjore të Bashkimit Evropian do të implemetohen pikërisht në nivelin lokal, roli i vetëqeverisjes lokale në këtë proces merr një karakter fundamental. ULQINI si qytet bregdetar dhe qytet i brezit kufitar, gëzon mundësinë e shfrytëzimit të mjeteve të konsiderueshme nga fondet evropiane. Nga këto programe mund të ketë përfitim direkt Administrata lokale, ndërmarrjet publike, mbrojta e ambientit jetësor, zhvillimi i kulturës, turizmit, etj. Prandaj konsiderojmë se është më se e nevojshme që të përgatitemi sa më mirë për proceset integruese dhe për hapat që duhet të ndërmerren në periudhën e ardhshme“ – ishte një prej rekomandimeve të këtij seminari. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Shërbimin e Kryeadministratorit të Komunës së Ulqinit dhe
me mjetet financiare nga buxheti i Komunës së Ulqinit.