Organizata e shoqërisë civile Horizonti i Ri, të enjten më 7 gusht 2023, organizoi konferencë me gazetarë në të cilën u prezantuan rezultatet e hulumtimit “Raporti i të rinjve ndaj medias”.
Ky hulumtimi është kryer me të rinjtë shqiptarë në Ulqin dhe Tuz për të pasur një pasqyrë më të saktë mbi mënyrën dhe shkallën e përdorimit të mediave dhe teknologjive të reja të informacionit. Për realizim sa më efikas të këtij procesi në terren, është përzgjedhur anketimi i opinionit publik si një formë klasike e hulumtimit. Anketimi është kryer nga vetë të rinjtë pjesëmarrës në projekt, të cilët janë trajnuar paraprakisht për procesin e anketimit përmes pyetësorit, duke mësuar për metodologjitë dhe instrumentet që përdoren në hulumtimin e opinionit publik, teknikat e grumbullimit të të dhënave në terren, fazat e intervistimit etj. 
Pyetësori për të rinjtë shqiptarë në Malin e Zi ka përfshirë 15 pyetje, të grupuara në disa seksione, për të hulumtuar më shumë mbi ekspozimin e tyre ndaj mediave dhe teknologjive të reja të informacionit. Këto pyetje janë projektuar për të kuptuar burimet e informimit të tyre, mënyrën dhe nivelin e përdorimit të mediave, si dhe për të vlerësuar nevojën e tyre për edukimin mediatik. Kampioni në këtë anketim përbëhet nga 200 të rinj (nga Ulqini dhe Tuzi) të grupmoshës 15-25 vjeç. Ky kampion i madh siguron një bazë të gjerë të të dhënave për të analizuar dhe vlerësuar prirjet dhe perceptimet e të rinjve shqiptarë në lidhje me mediat dhe teknologjitë e reja të informacionit.

PRESS 02

Rezultatet përfituara në këtë analizë ofrojnë një panoramë më të qartë mbi mënyrën se si të rinjtë shqiptarë në Malin e Zi përdorin mediat dhe teknologjitë e reja të informacionit, por njëkohësisht këto të dhëna do të ndihmojnë edhe në hartimin e strategjive të ardhshme për të promovuar edukimin mediatik dhe për të plotësuar nevojat e tyre specifike në këtë fushë.

Analiza me të rinjtë shqiptarë në Ulqin dhe Tuz  u realizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve për edukimin mediatik dhe të menduarit kritik”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Podgoricë, në kuadër të programit “U.S. Embassy’s 2022 Media Professionalization Assistance Program”.

LOGOS - header