Fuqizimi i të rinjve përmes trajnimeve, punës praktike, zhvillimit të shkathtësive të buta, granteve të vogla, etj, cilësohet si një proces i domosdoshëm për përafrimin e tyre me tregun e punës. Jo të gjithë kanë pasur mundësinë që t’i rrisin shkathtësitë e duhura për t’u kyçur në tregun e punës. Si pasojë janë krijuar grupet e margjinalizuara, sidomos të rinjtë, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës. Njëra ndër arsyet e krijimit të këtyre grupeve është se ata nuk kanë shkathtësi të mjaftueshme të cilat mund t’i vënë në funksion të rritjes së mirëqenies së tyre ose të përmirësimit të pozitës sociale në shoqëri. Kjo ngase mjedisi në të cilin jetojnë nuk ka ofruar mundësi të mjaftueshme zhvillimi.

Sfidat e të rinjve në vendin tonë për përshtatjen e tyre në tregun e punës dhe ngritjen e një karriere të qëndrueshme dhe afatgjatë në profesionin që ata kanë zgjedhur të ushtrojnë, janë të shumta. Ekspertët e punësimit veçojnë disa prej tyre siç janë: punësimi i qëndrueshëm, afatgjatë dhe me standarde; zbatimi në praktikë, në mënyrë objektive dhe me shpejtësi i legjislacionit të miratuar për nxitjen e punësimit, pastaj financimet për nxitjen e punësimit të bëhen në mënyre transparente dhe sipas meritës; zvogëlimi i burokracive të institucioneve përgjegjëse për vendet e punës, etj.

Qeveria e Malit të Zi përmes politikave të veta ka tentuar të ndërtojë platforma dhe programe që përmirësojnë pozitën e të rinjve në shoqëri dhe rrisin punësueshmërinë e tyre. Kështu përshembull Ligji për Rininë e rendit si prioritet me interes publik edukimin e të rinjve për mekanizmat e pjesëmarrjes në masat aktive të punësimit. Po ashtu Qeveria ka hartuar edhe një program të veçantë për mbështetjen e të rinjve në punësim për vitin 2022. 

Në këtë kontekst, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Malit të Zi ndërmori një iniciativë për të zhvilluar një qasje lokale për trajtimin e papunësisë, me theks të veçantë në ofrimi i mbështetjes për komunitetet lokale, për të gjetur zgjidhjet e tyre për sfidat në tregjet lokale të punës. Në këtë mënyrë, një politikë aktive punësimi mund të përshtatet më mirë me nevojat e tregjeve lokale të punës dhe në këtë mënyrë të rrisë efektivitetin e politikës së përgjithshme të punësimit në Mal të Zi. Nisur nga kjo iniciativë, Komuna e Ulqinit ngriti një grup pune multisektorial dhe hartoi dokumentin “Strategjia e Punësimit për periudhën 2021-2025”. Kjo strategji synon që, sa më shumë të jetë e mundur, të përmirësojë gjendjen e burimeve njerëzore dhe të forcojë përfshirjen sociale në nivel vendor, që është edhe një nga prioritetet e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.

SOCIAL PLAN web

Me qëllimin që ky dokument të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe që të rinjtë si një nga kategoritë më të goditura sociale, të jenë sa më të përfshirë në politikat lokale, OJQ “Horizonti i Ri” inicioi hartimin e një dokumenti inovativ në këtë fushë – Planit Social për Punësueshmërinë e të Rinjve.
Ky plan mund të shihet si një dokument shtesë i rëndësishëm në përkufizim hapave të ardhshëm të përmirësimit të pozitës së përgjithshme socio-ekonomike të të rinjve në komunën tonë dhe përgatitjes sa më të mirë të tyre për tregun lokal dhe rajonal të punës.
Për hartimin e këtij plani, është formuar një grup pune me liderë të zgjedhur rinorë, të cilët përgjatë dy viteve të fundit kanë ndjekur programe të specializuara në fushën e ndërmarrësisë, aftësive të buta, menaxhim biznesi, shkrimin e projektesh, etj.

Ky proces zhvillohet në kuadër të projektit “Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësitë e karrierës në sektorin e turizmit”.

Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian: Programi IPA II për Bashkëpunim Ndërkufitar Mal i Zi – Shqipëri 2014-2020, i cili zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me OJQ Horizonti i Ri, si dhe shkollat e mesme “Vëllazërim Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra. Projekti bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.

LOGO EU - CBC - MJU

LOGO_PARTNERS_CBC