Në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve në promovimin e dialogut dhe tolerancës”, OJQ Horizonti i Ri i ka mbajtur modulin e katërt me radhë me të rinjtë nga Ulqini dhe Tivari me temën “Dialogu ndërkulturor”. Në këtë sesion, mbi tridhjetë të rinj të përkatësive të ndryshme kombëtare e fetare, gjuhësore e kulturore, mësuan dhe diskutuan për konceptin e ndërkulturalizmit nga aspekte të ndryshme si: a është toleranca ndërkulturalizëm, çfarë do të thotë të jesh ndërkulturor, çfarë është mësimi ndërkulturor dhe pse është i rëndësishme koncepti i diversitetit për proceset demokratike në shoqëri.
Pjesëmarrësit e aktivitetit patën mundësi të njiheshin edhe me shembuj praktikë të ndërkulturalizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerat kulturore të shoqërisë amerikane dhe ndikimin e emigracionit në kulturën amerikane.
Në vlerësimin e aspekteve të jetesës kulturore të të rinjve në SHBA sot, si komponentë kyçe u theksua shumëllojshmëria kulturore dhe aktivizmi rinor, i cili është thellësisht i rrënjosur në traditën amerikane të vullnetarizmit.
Për një ndërveprim të suksesshëm të grupit, motivim dhe komunikim dygjuhësor, u përkujdesën gazetari nga Tivari Radomir Petriq dhe moderatorja e programit Sabra Deceviq nga Tuzi. Mysafirë të veçantë të këtij aktiviteti ishin Suzanne Schaefer, zv/shefe e Departamentit për Media, Kulturë dhe Arsim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë si dhe bashkëpunëtorja e saj Silvija Marnikoviq.
Ky projekt ka për qellim krijimin e një komunikim efektiv midis të rinjve nga Ulqini dhe Tivari, thyerjen e paragjykimeve dhe barrierave në komunikim si dhe rritjen e njohurive dhe shkathtësive të tyre për pjesëmarrje në proceset integruese shoqërore.
Këtë projekt Horizonti i Ri e realizon me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Podgoricë.