Me dëshirën që të rinjve t’iu ofrohen njohuri dhe informacione për proceset më të rëndësishme integruese që do të zhvillohen në vitet e ardhshme, OJQ “HORIZONTI i RI” mbështetur nga Ambasada amerikane në Mal të Zi, realizon projektin edukativ për integrimet euroatlantike “NATO & YOUTH DIVERSITY DIALOGUE”.
Ky program i edukimit joformal iu ofron të rinjve një mundësi të veçantë për informim cilësor për historikun dhe rrjedhën e procesit të integrimit euroatlantik, rolin e ri të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) në sigurinë botërore, por edhe për proceset aktuale të integrimit në këtë strukturë, nëpër të cilët po kalon Mali i Zi.Përveç ciklit të ligjëratave, projekti përfshin edhe aktivitete tjera kreative (prezantime, ushtrime, punë në grup,…). Ligjëratat do të mbahen një herë në javë (çdo të shtunë), në periudhën tetor – dhjetor 2012.
Gjatë këtij programi, nxënësit nga Ulqini do të jenë mikpritës të bashkëmoshatarëve të tyre nga veriu i Malit të Zi; pastaj ata do të udhëtojnë për në veri në vizitën kthyese, duke promovuar kështu dialogun dhe bashkëpunimin ndërkulturor të të rinjve.
Projekti finalizohet me vizitën e përbashkët në Podgoricë, në institucionet me rëndësi për procesin e integrimit euroatlantik.
Në fund të këtij programi, kandidatët do të marrin edhe diploma për njohuritë e fituara, nga Ambasada amerikane.
Workshopet
Në kuadër të këtij projekti, qytetin e Ulqinit e vizituan gjimnazistët nga veriu i Malit të Zi.
Nxënësit mysafirë dhe gjimnazistët nga Ulqini u pritën në Sallën e Kuvendit të Komunës nga nënkryetari i Komunës z. Met Gjoni dhe deputeti ne Parlamentin shtetëror z. Genci Nimanbegu. Më pas, të gjithë së bashku vizituan kompleksin e muzeumeve në Qytetin e vjetër, Tyrben në Plazhin e vogël si dhe Xhaminë e Detarëve.
Më 1 dhjetor, grupi i gjimnazistëve nga Ulqini, të cilët vijojnë programin “NATO dhe dialogu i të rinjve”, vizituan
qytetin e Beranes.
Në kuadër të këtij aktiviteti, nxënësit nga Ulqini patën një pritje të ngrohtë në ndërtesën e Komunës së Beranës, të organizuar nga vet Kryetari i Komunës z. Vuka Golluboviq dhe nënkryetari z. Braho Adroviq. Më pas, nxënësit nga Ulqini dhe ata vendas, vizituan Muzeun dhe galerinë e qytetit, shtëpinë muze të vojvodës Gavro Vukoviq ministrit të parë të punëve të jashtme në mbretërinë e Malit të Zi. Më pas, të gjithë së bashku vizituan edhe Manastirin “Gjurgjevi Stupovi” si dhe Përmendoren e lirisë në kodrën Jasikovac.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi – Sue K. Brown, shpërbleu me diploma nxënësit e shkollave të mesme nga Ulqini dhe Berane, të cilët ndoqën programin “NATO dhe dialogu i të rinjve”.
Ceremonia përmbyllëse e këtij projekti u zhvillua në Qendrën informuese për integrimet euroatlantike në Podgoricë. Në fund të këtyre aktiviteteve përmbyllëse, Ministria e mbrojtjes organizoi pritje të veçantë, me ç’rast pjesëmarrësit e projektit u njoftuan me procesin e reformimit të ushtrisë dhe standardet që duhet të plotësohen për anëtarësim në NATO.