HORIZONTI i RI fillon realizimin e një programi të ri – ndihmë për fëmijët me nevoja të veçanta. Projekti i parë në këtë fushë titullohet “Ndihma të cilën unë e kuptoj”, i cili iu dedikohet fëmijëve me pengesa në zhvillim në pjesën rurale të komunës së Ulqinit, respektivisht të Anës së Malit. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, projektin do ta mbështesë Agjencia sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar – SLOVAK AID.
Përmes këtij projekti “Horizonti i Ri” do të mbështesë përpjekjet e shumë prindërve të kësaj ane për ngritjen e një qendre edukative për trajtim të kufizuar të fëmijëve me pengesa në zhvillim (veçanërisht me pengesa në të folur), por njëkohësisht edhe të lehtësoj angazhimin e tyre për t’iu ofruar fëmijëve të vet ndihmën adekuate në kushtet e shtëpisë. E gjithë kjo do të realizohet përmes sigurimit të kushteve teknike dhe pajisjeve të nevojshme për punë në këtë Qendër, publikimit dhe shpërndarjes së literaturës profesionale në gjuhën shqipe (udhëzues, broshurave, etj) për prind dhe për personelin që do të punojë me këta fëmijë.
Projekti synon edhe sensibilizimin e komunitetit lokal dhe opinionit të gjerë, për rëndësinë e mbështetjes së projekteve dhe iniciativave që iu dedikohen grupeve vulnerable (të ndjeshme).
Në kuadër të këtij projekti u botua një UDHËZUES i veçantë për prindërit e fëmijëve me pengesa në zhvillim – i pari i këtij lloji në Ulqin dhe Mal të Zi.
Udhëzuesin mund ta shkarkoni këtu
Në pjesën rurale të Komunës së Ulqinit, respektivisht në ANË TË MALIT (Katerkollë), me mbështetjen e Slovak Aid, pajisëm Klubin edukativ për fëmijët me nevoja të veçanta.