Organizata e shoqërisë civile “Horizonti i RI” realizon projektin e ri me titull “PARTNERITETI LOKAL KUNDËR ABUZIMIT TË DROGAVE DHE DELIKUENCËS SË TË MITURVE”, të cilin e mbështetë Ambasada e SHBA në Podgoricë, përmes Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit.

Projekti ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së të rinjve në lidhje me efektet e dëmshme të abuzimit me drogën si dhe fuqizimin e kapaciteteve lokale për parandalimin e sëmundjeve të varësisë, në komunën e Ulqinit.

Objektivat specifike të këtij projekti janë: krijimi i partneritetit me institucionet relevante dhe veprimi i përbashkët në luftën kundër abuzimit të drogës në komunitetin lokal; mbështetje për Administratën Vendore në aktivizimin e Zyrës për Parandalimin e Narkomanisë, hartimi i Planit Lokal për luftën kundër narkomanisë.

Aktivitetet e projektit:

→ Krijimi i partneritetit lokal – Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit

Me datën 18 nëntor 2015, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të partnerëve lokal: Komunës së Ulqinit, Prokurorisë Shtetërore (Ulqin), Gjykatës Themelore (Ulqin), Zyrës së Policisë (Ulqin), Qendrës për Punë Sociale (Ulqin), Shtëpisë së Shëndetit (Ulqin) dhe OJQ “HORIZONTI i RI”.


→ Anketimi i të rinjve të moshës 14 – 18 vjeç

Gjatë periudhës tetor – dhjetor 2015, grupi i stërvitur i aktivistëve të organizatës tonë, anketoi 250 nxënës. Anketimi u zhvillua me nxënës të klasave të nënta nga 2 shkolla fillore brenda qytetit të Ulqinit si dhe me nxënës të të dy shkollave të mesme në Ulqin. Rezultatet e anketimit publikohen së shpejti.


→ Program për edukatorët bashkëmoshatarë

Programi iu dedikohet të rinjve nga Ulqini, të cilët kanë shprehur dëshirën të bëhen “Edukatorë Bashkëmoshatarë” (Peer Educators) në fushën e parandalimit të narkomanisë dhe delikuencës së të miturve. Trajnimi i edukatorëve bashkëmoshatarë përbëhet nga 8 seminare njëditorë, të cilët do organizohen njëherë në javë. Programi, të cilin e menaxhojnë trajnerë profesionistë, përfshinë këto temat: zhvillimin e aftësive komunikuese, dëgjimin aktiv, sekretet e prezantimit të mirë – paraqitja publike; si të dallohen sëmundjet e varësisë – teknikat e rezistencës; marrja e qëndrimit dhe forcimi i vetëbesimit në luftën kundër sëmundjeve të varësisë; udhëheqja dhe rëndësia e zhvillimit të lidershipit në komunitet; roli i edukatorit bashkëmoshatarë – aftësitë e organizimit të workshopeve;  puna ekipore; zgjidhja e situatave të konfliktit, etj.

Në këtë program marrin pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve relevante si dhe profesionistë të tjerë në këtë fushë.