Misioni fillestar i HORIZONTIT të RI ishte “Integrimi i familjes shqiptare në familjen e madhe evropiane, përmes kontributit të saj në ndërtimin e një shoqërie civile në Mal të Zi”.

Qëllimet e shoqatës ishin:
– përmirësimi i pozitës së familjes shqiptare në Mal të Zi;
– edukimi, emancipimi dhe prosperiteti i saj;
– komunikimi i saj me të tjerët në rajon; inkuadrimi i saj në rrjedhat bashkëkohore tëjetës; dhe
– kontributi i saj në zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike, dialogut dhe tolerancës.

Në fillim të vitit 2000, shoqata hapi Klubin e parë edukativ për femra në Ulqin. Në kuadër të këtij klubi u zhvilluan veprimtari të ndryshme siç janë: kurset e kompjuterëve, kurset e gjuhëve të huaja, kursi i gazetarisë, ai i rrobaqepësisë, këshillimore, ligjërata gjatë fundjavës, publikimi i informatorëve, broshurave edukative, etj. Ky klub u realizua ne kuadër të projektit që u financua deri në vitin 2004 nga fondacioni suedez KVINNA TILL KVINNA.

Ne vitet 2000-2001, HR gjithashtu realizoi projektin “Parandalimi i martesave të hershme” me mbështetjen e Institutit për Shoqëri të Hapur – Podgoricë dhe projektin “Pozita e femrës shqiptare në Mal të Zi” me financimin e Komesariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Në periudhën 2001–2002 është realizuar projektit “Ndihmë për gratë me probleme sociale e ekonomike dhe fëmijët e tyre” që përfshinte këshillimore dhe vizita gjinekologjike, konsulta dhe vizita pediatrie, si dhe konsulta e shërbime juridike, të gjitha falas. Projekti u financua nga UNICEF-i.

Në fushën e marrëdhënieve ndëretnike, HR ka zhvilluar disa aktivitete përmes të cilëve janë promovuar të drejtat e njeriut, të drejtat e popujve pakicë, të drejtat e gruas dhe ndërtimi i shoqërisë civile. Në vitin 2000 u realizua projekti “Bashkëjetesa dhe ndërtimi i së ardhmes” i cili përbëhej nga një cikël prej katër seminaresh. Projekti u financua nga Fondacioni i Westminsterit për Demokraci, Londër.

Ne periudhën 1999-2005 Horizonti i Ri ka punuar edhe në programet e edukimit të të rinjve (kundër narkomanisë, trafikimit njerëzor, arsimimit joformal,….), të cilët u mbështeten nga donatorë të shumtë, ndër të cilët veçohen: Malteser, GFW, USAID, Mama Cash, NEWW Book & Journal Project, etj.

Gjatë periudhës 2003-2005 Horizonti i Ri e zgjeroi aktivitetin e vet edhe përtej kufijve dhe kështu në partneritet me dy organizata nga Shkodra (“Dimension Human” dhe “Gruaja tek Gruaja”) u realizuan disa projekte edukative/sensibilizuese kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe avancimit të bashkëpunimit ndërkufitar.

Prej vitit 2003, me miratimin e Ligjit dhe fillimin e reformave të vetëqeverisjes lokale në Mal të Zi, Horizonti i Ri filloi të realizojë projekte që promovojnë parimet e qeverisjes së mirë, zhvillimin e demokracisë lokale, qytetarinë aktive, dialogun parlamentar, etj.

Në kuadër të këtij programi u zhvilluan këto projekte:

Projekti “Si punon pushteti lokal” (2003) paraqet përvojën tonë të parë në „ballafaqimin” me pushtetin lokal. Përmes këtij projekti, i cili është përkrahur nga OSCE, për herë të parë në nivel lokal është bërë anketimi i komunitetit lokal lidhur me punën e vetëqeverisjes lokale, por edhe anketimi i nëpunësve të komunës lidhur me perceptimin e tyre ndaj qeverisjes dhe nevojave të qytetarëve.

Projekti “Pushteti lokal në shërbim të qytetarëve“ – ka përfshirë cikle të tryezave të rrumbullakta, seminare, anketimin e opinionit të gjerë publik, prezantime mediatike, publikime, etj. Projekti u përkrah nga The Balkan Trust for Democracy.

Përpjekjet tona për sensibilizimin e qytetarëve dhe pushtetit lokal në drejtim të bashkëpunimit të ndërsjellët, kanë vazhduar edhe në periudhën 2005 – 2008 kur kemi realizuar disa projekte të rëndësishme:

»QYTETARIA VEPRUESE – QEVERISJE E MIRË VENDORE« (tryeza të rrumbullakta, paraqitje në media, udhëtime studimore, publikime, …). Projekti është përkrahur nga The Balkan Trust for Democracy.

»PËRGATITJE E MIRË PËR QEVERISJE TË MIRË« përkrahur nga Fondacioni RBF.

»ZHVILLIMI I PARLAMENTARIZMIT LOKAL« projekt i realizuar me mjete financiare të Komunës së Ulqinit dhe dedikuar këshilltarëve lokal.

Për përfshirje aktive të komunitetit lokal në proceset shoqërore, na rekomandojnë edhe këto projekte:

»ANGAZHIMI I KOMUNITETIT LOKAL KUNDËR TRAFIKIMIT NJERËZOR« (2006-2008), cikle të workshopeve edukative me nxënës të shkollës së mesme, emisione televizive, anketime, aktivitete, tryeza të rrumbullakta, etj. Projekti është përkrahur nga CARE International;

»NARKOMANIA, PROBLEM DHE NË ULQIN« anketime në të gjitha shkollat e Ulqinit, workshope edukative, panele, debate televizive, performanca;

»T’I NJOHIM INSTITUCIONET » program lidhur me njoftimin e maturantëve me institucionet lokale dhe shtetërore, rolin, rëndësinë dhe mënyrën e funksionimit të tyre;

Horizonti i Ri ka qenë i suksesshëm në artikulimin e problemeve të komunitetit dhe mobilizimin e palëve të interesuara për zgjidhjen e tyre. HR ka punuar individualisht si dhe në kuadrin e rrjeteve te ndryshme për formulimin e politikave, avokimin dhe lobimin
për çështje te rëndësishme te komunitetit, realizimin e iniciativave monitoruese të pushtetit lokal, etj.
Kapaciteti për të provokuar ndryshime duke përfshirë palët e interesuara dhe autoritetet lokale është një anë e fortë e HR. Shoqata ka mundur të lobojë dhe avokojë duke përdorur gjuhën e fakteve dhe duke evituar konfliktet dhe presionin.

Foto Galeria:

Klubi Edukativ

Si punon pushteti lokal

Pushteti lokal në shërbim të qytetarëve

Narkomania – Anketimi i nxënësve

Anti-Trafficking Education 2005

Anti-Trafficking 2007 – 2008

T’i njohim institucionet

Seminar kundër trafikimit njerëzor

Aktivitetet dhe kurset

Planifikimi strategjik (2008)

Horizonti i Ri dhe OJQ-të lokale