Sot, në një solemnitet rasti, OJQ “Horizonti i Ri” prezantoi rezultatet e projektit “RRUGË TË SIGURTA – PRIORITET I QYTETIT TIM”, të mbështetur nga Ministria Investimeve Kapitale e Malit të Zi – ish Ministria e Transportit dhe e Detarisë (në kuadër të Konkursit Publik “Ruan veten, ruan të tjerët!” për vitin 2020).
Hulumtimi i realizuar u fokusua në shqyrtimin e qëndrimeve të fëmijëve dhe të rinjve në Ulqin në lidhje me sigurinë dhe rreziqet në komunikacion, duke përshkruar sjelljen e vëzhguar të pjesmarrësve në trafik, veset e nxënësve të praktikuara në kulturën e komunikacionit, vlerësimin e sigurisë së trafikut në zonat përreth shkollave dhe përgjatë rrugës nga shtëpia deri në shkollë. Përmes kësaj analize u evidentuan edhe burimet dhe mënyrat përmes të cilave nxënësit informohen dhe edukohen rreth kësaj teme.
Në bazë të rezultateve të hulumtimit, rezultoi që infrastruktura rrugore nuk është një hapësirë e sigurt për nxënësit e shkollave të Qytetit tonë. Prandaj është e nevojshme që të ndërmerren masa në shumë aspekte, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion e veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve.
Për këtë arsye, ekipi i ekspertëve të angazhuar në hulumtim, ka dhënë edhe disa rekomandime konkrete që rrjedhimisht do të përmirësonin dukshëm problemet e evidentuar nga pjesëmarrësit e projektit, ndër të cilët veçojmë:
- vendosja e vendkalimeve të shënjuara dhe të sigurta për këmbësorë në zonat pranë shkollave;
- rregullimi dhe funksionalizmi i më shumë trotuareve në secilën pjesë të rrugës, aty ku konstrukti, mjedisi, pozicionimi dhe dedikimi i rrugës e lejon një gjë të tillë;
- rritja e nivelit të informimit dhe mësimit për sigurinë në komunikacion, në arsimin formal dhe atë joformal;
- intensifikimi, monitorimi dhe kontrollimi i komunikacionit dhe zbatimit adekuat dhe reciprok të masave parandaluese nga autoritetet dhe shërbimet kompetente etj;
- monitorimi dhe kontrolli i shtuar i trafikut rrugor si dhe zbatimi adekuat i masave parandaluese nga autoritetet dhe shërbimet kompetente;
- në rrugët me një frekuencë të lartë dhe trafik të mbingarkuar, ku ekzistojnë “ishuj për këmbësorë”, të vendosen pengesa fizike (gardhe mbrojtës) që do të parandalonin kalimin e parregullt të rrugës nga këmbësorët;
- të krijohen hapësira për lëvizjen e sigurt të çiklistëve, drejtuesve të patinave dhe trotineteve elektrike.
Përveç stafit të projektit të OJQ “Horizonti i Ri”, në zbatimin e këtij hulumtimi ishte i angazhuar një ekip i veçantë ekspertësh i përbërë nga: Hakile Resulbegoviq – specialiste për kërkime dhe statistikë; Ognjen Bobiçiq – specialist i trafikut rrugor dhe Jozo Briskoviq – magjistër i trafikut dhe president i Shoqatës për Sigurinë e Trafikut të Malit të Zi.