Kombet e Bashkuara e kanë vlerësuar energjinë, idetë inovatore dhe punën e të rinjve si jetësore për zhvillimin e shoqërisë në të cilën ata jetojnë. Mënyra se si sfidat, problematikat dhe potenciali i të rinjve është pasqyruar nëpërmjet vendimeve të marra nga ata gjatë hartimit të politikave publike, krijon mundësi më të mira për të zhvilluar shoqërinë në të cilën ata jetojnë dhe për të siguruar kushte më të mira ekonomike dhe sociale. Të rinjtë, në të gjitha vendet e botës janë një burim i madh i zhvillimit njerëzor dhe njëkohësisht një nga agjentët kyçë për të sjellë ndryshimin social, zhvillimin ekonomik dhe atë teknologjik.
Kur flitet për pjesëmarrjen e të rinjve, dallojmë disa fusha të përfshirjes së tyre:
• pjesëmarrja ekonomike që ka të bëjë me punësimin, eliminimin e varfërisë dhe krijimin e një ekonomie të qëndrueshme;
• pjesëmarrja shoqërore që ka të bëjë me trajtimin e sfidave dhe përfshirjen në jetën e komunitetit vendor;
• pjesëmarrja kulturore që ka të bëjë me format e ndryshme të artit dhe të shprehjes;
• pjesëmarrja politike që ka të bëjë me qeveritë, politikat publike, ushtrimin e pushtetit dhe ndikimin në shpërndarjen e burimeve në nivele të ndryshme.
Përqindja e të rinjve që emigrojnë nga vendi është brengosëse, si për arsye financiare, ashtu edhe për shkak të joefikasitetit të sistemit. Shumë të rinj që vendosin të qëndrojnë në vend, këtë gjendje apatie dhe zhgënjimi e shohin në radhë të parë drejt pjesëmarrjes aktive në jetën publike përmes angazhimit politik. Ndërsa përqindja e të rinjve që vendosin të marrin pjesë në jetën publike, duke anashkaluar politikën, është shumë e vogël.
Për të përmirësuar këtë pasqyrë në lidhje me pjesëmarrjen e të rinjve në jetën publike, nevojitet një edukim shtesë i të rinjve për të njohur e kuptuar sistemin politik të shtetit, konceptet demokratike dhe rolin e qytetarëve në to, respektivisht mundësitë për pjesëmarrje aktive dhe ndikim të drejtpërdrejtë në vendimet që ndikojnë mbi ta. Përfshirja e të rinjve në proceset vendimmarrëse, veçanërisht në nivelin lokal, është më se e nevojshme. Por po ashtu duhet të promovohen mundësitë ekzistuese institucionale për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, duke shfrytëzuar mjeteve moderne të komunikimit dhe të informacionit. Të rinjtë duhet të marrin pjesë në hartimin e politikave publike, sepse ata mund të identifikojnë më mirë se kushdo interesat dhe nevojat e tyre.
Në Ulqin, ka disa vite që OJQ Horizonti i Ri realizon programe të ndryshme të edukimit joformal të të rinjve, të cilët ndihmojnë zhvillimin e aftësive dhe kompetencave te të rinjtë për një qytetari të përgjegjshme dhe për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike.
Aktualisht Horizonti i Ri po realizon projektin “Vendimmarrje me të rinjtë” i cili ka për qëllim fuqizimin i kapaciteteve të aktivistëve rinorë në Ulqin, në mënyrë që ata të mund të iniciojnë dhe përfaqësojnë në mënyrë cilësore nismat rinore. në komunitetin lokal dhe të ndikojnë tek politikbërësit për krijimin dhe politikave të përshtatshme për të rinjtë.
Ky shkrim realizohet në kuadër të programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formimi i politikave – M’BASE” i zbatuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e OJQ Horizonti i Ri dhe nuk pasqyron detyrimisht pikëpamjet e donatorit.