Organizata e shoqërisë civile “HORIZONTI i RI” nga Ulqini, në bashkëpunim me Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, ka konceptuar një program edukativ dhe trajnues për anëtarët e këtij subjekti, në temën e integrimeve evropiane.
Aktiviteti i parë i këtij partneriteti u realizua me 18 korrik 2009 në Ulqin.
Pjesëmarrësit e seminarit me titull “INTEGRIMET EVROPIANE – INTEGRIME PËR TË GJITHË” patën mundësi të përforcojnë njohuritë e veta por edhe të marrin informacione të reja mbi historikun dhe zanafillën e integrimeve evropiane, mbi mënyrën e funksionimit të institucioneve të Bashkimit Evropian, për procesin e anëtarësimit në BE dhe zgjerimin e saj, për politikat e BEse ndaj Ballkanit perëndimor, për fondet evropiane, instrumentet e financimit etj.
Ligjërues dhe moderator te këtij seminari ishin:
SPIRO KOÇI – Drejtor i Përgjithshëm për Bashkëpunimin Euroatlantik dhe Organizatat shumëpalëshe ne Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe
DOLORES KOÇI – eksperte në Ministrinë e Integrimeve të Shqipërisë për bashkëpunimin ndërkufitar.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij aktiviteti ishte që me aktivitet e veta të kontribuoj në përhapjen e vlerave evropiane tek subjektet shqiptare në Mal të Zi, si dhe në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e procesit të integrimeve evropiane. Në këtë mënyrë përfaqësuesit e jetës politike dhe të shoqërisë civile do të jenë më të familjarizuar me procesin e Integrimeve Evropiane dhe rolin që ka komuna, qyteti dhe shteti në këtë proces. Kjo do të ndikojë në fuqizimin e kapaciteteve të tyre për të hartuar politika të suksesshme, për të marrë vendime dhe për të organizuar
punën në përputhje me ecurinë e procesit të integrimeve evropiane.
Aktiviteti u mbështet nga Fondi për pakica në Malin e Zi.