Me 12 mars, në hotelin Kalamper në Tivar, u organizua moduli i fundit trajnues në kuadër të projektit “Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i pjesëmarrjes qytetare”, të cilin e realizoi OJQ Horizonti i Ri në partneritet me gazetën Koha Javore.

Gjatë këtij aktiviteti pjesëmarrësit patën mundësi të përfitojnë njohuri dhe eksperienca të reja përmes një programi të veçantë të përgatitur nga moderatoret e këtij sesioni Dina Bajramspahiq & Vesna Rajkoviq Nenadiq.  Temat që u trajtuan në këtë trajnim kishin të bënin me kuadrin ligjor antikorrupsion në Mal të Zi, rolin e institucioneve dhe medias në raportimin e korrupsionit, teknikat e hulumtimit, hartimit të raporteve si dhe mekanizmat që ofron Ligji për Qasje të Lirë në Informacion në këtë fushë. Aktiviteti tuboi së bashku gazetarët shqiptarë nga Ulqini, Tivari dhe Malësia, të angazhuar në mediat e shkruara, tradicionale dhe ato elektronike.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti ishte fuqizimi i kapaciteteve të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe aktivistëve të shoqërisë civile për të hulumtuar dhe raportuar mbi problemin e korrupsionit dhe për të promovuar qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.

Përmes këtij projekti u ndërtua një partneritet efektiv midis mediave dhe OJQ-ve, si kusht kryesor për një publik më të informuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë lokale.

Projekti u mbështet nga Departamenti i Shtetit të SHBA – Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), në kuadër të Programit të Shoqërisë Civile për Drejtësi Penale.

USA - PARTNERS