Në hapësirat e Këndit për të Rinj në Ulqin, organizuam shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Kjo ditë festohet çdo vit më 12 gusht, në bazë të një rezolute të posaçme të Asamblesë së Përgjithshme, si një mundësi e veçantë për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore, si në komunitetet lokale ashtu edhe në nivel të shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Pikërisht, për të dëgjuar zërin e të rinjve dhe për të sensibilizuar vendimmarrësit lokal për çështjet rinore, organizuam një takim të veçantë midis aktivistëve rinorë dhe drejtuesve të Pushtetit Vendor. Në një atmosferë të relaksuar dhe miqësore, të rinjtë bashkëbiseduan me Kryetarin e Komunës z. Loro Ndrekiq dhe me nënkryetaren e Komunës znj. Hadixhe Gjoni. Ata paraqiten shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre për problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Ulqin, por edhe dhanë propozime e ide se si mund të përmirësohet pozita e tyre aktuale. Me këtë rast, drejtuesit e Komunës së Ulqinit shprehën vlerësim për përpjekjet e të rinjve për tu edukuar për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe shprehën gatishmërinë e tyre që të punojnë në përmirësimin sa më të mirë të pozitës së të rinjve në Ulqin.
Në këtë ceremoni, vijuesit e trajnimit tremujorë për mundësitë e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, u shpërblyen me diploma.
Kur bëhet fjalë për çështjet rinore, duhet të theksohet se Mali i Zi ka miratuar Strategjinë për të Rinj për periudhën 2017-2021! Një ndër prioritetet kryesore të kësaj strategjie është edhe “pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, në zhvillimin e komunitetit lokal dhe në hartimin e politikave publike”. Mirëpo, kur bëhet fjalë për nivelin lokal, Komunës së Ulqinit nuk ka hartuar asnjë dokument të politikave rinore, që burojnë nga Ligji për të Rinj dhe që janë obligim i çdo vetëqeverisjeje lokale: mungon strategjia për të rinj, plani i veprimit rinor, nuk është themeluar këshilli lokal i të rinjve dhe nuk është hapur zyra për të rinj në Komunë.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Të rinjtë marrin pjesë, të rinjtë marrin vendime!”, të cilin OJQ Horizonti i Ri e realizon me mbështetjen e Ministrisë për Sport të Malit të Zi.