OJQ “Horizonti i Ri” filloi realizimin e projektit me titull “VETËQEVERISJA LOKALE PROAKTIVE dhe PJESËMARRJA QYTETARE”. Projekti ka për qëllim monitorimin e punës së organeve të vetëqeverisjes lokale të Komunës së Ulqinit, përmes vëzhgimit të zbatimit të parimit të përgjegjshmërisë, si dhe fuqizimin e kapaciteteve të OJQ-ve dhe mediave lokale për përkrahjen e Reformës së Administratës Publike në nivelin lokal.
Qeveria e Malit të Zi në korrik të vitit të kaluar miratoi Strategjinë e Reformës në Administratën Publike deri në vitin 2020. Ky dokument i referohet administratës publike si në nivelin shtetëror ashtu edhe në atë lokal. Strategjia synon avancimin e Administratës Publike në Malin e Zi, e cila duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të gëzojë besimin e tyre. Kjo strategji është ndërtuar në përputhje me parimet e administratës publike që ka hartuar Bashkimi Evropian përmes programit SIGMA. Parimi i përgjegjshmërisë në administratën publike do të jetë fokusi i këtij projekti në tetë muajt e ardhshëm.
Horizonti i Ri konsideron se qasja në informatat që posedojnë organet e Komunës, janë një mekanizëm i rëndësishëm i përgjegjshmërisë në raportin e qeverisjes vendore ndaj qytetarëve. Një komunë e hapur dhe e përgjegjshme kushtëzohet nga e drejta e qytetarëve për qasje në informata, të cilat ajo posedon. Megjithatë, situata reale në Komunën e Ulqinit nuk i përgjigjet këtij konstatimi.
Në këtë kontekst, projekti do të hulumtojë se si organet e Komunës së Ulqinit zbatojnë Ligjin për Qasje të Lirë në Informata e veçanërisht se a e respektojnë detyrimin e publikimit proaktiv të informatave për punën e vet.
Procesi i hulumtimit do të fillojë me monitorimin e punës së Kuvendit të Komunës e pastaj edhe të pjesës tjetër të Administratës së Komunës. Njëkohësisht do të hulumtohet se cilat informata organet e Komunës së Ulqinit nuk i publikojnë edhe në gjuhën shqipe.
Në fund të këtij procesi, do të publikohen të dhënat e hulumtimit dhe mbi rezultatet e fituara do të ndërmerret një fushatë e veçantë mediatike për rritjen e ndikimit në Vetëqeverisjen Lokale që të zbatojë parimet e Reformës së Administratës Publike.
Në kuadër të këtij projekti do të organizohet edhe një seminar i veçantë për zyrtarët e Qeverisjes Vendore, aktivistët e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e mediave si dhe do të hartohen rekomandime për përmirësimin e qasjes proaktive në informata, në organet e vetëqeverisjes lokale.
Projekti realizohet në kuadër të programit WeBER – Projekt i shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor për monitorimin e reformës së administratës publike, të cilin e financon Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës.
Aktiviteti i parë i këtij projekti, njoftimi i përfaqësuesve të Vetëqeverisjes Lokale me qëllimin dhe format e realizimit të aktiviteteve të planifikuara, u realizua më 10 korrik 2017, në një takim të veçantë në zyrën e Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
KONFERENCA PËR MEDIA:
PUBLIKIMI: Vetëqeverisja Lokale Proaktive: “Komuna e Ulqinit”
https://www.ngo-horizonti.org/wp-content/uploads/2017/11/VETEQEVERISJA-LOKALE-PROAKTIVE.pdf
SEMINARI: “Qasja proaktive në informata në vetëqeverisjen lokale”: